
Vendet e Ulëta mirëpresin metodologjinë e re të zgjerimit, prezantuar të mërkurën nga Komisioni Europian. Në një reagim për A2, ambasada e Vendeve të Ulëta në Tiranë tha se ky është një hap në drejtimin e duhur.
“Vendet e Ulëta mirëpresin theksin më të fortë mbi reformat në drejtësi, administratën publike dhe ekonomi. Përmirësimi në fushën e sundimit të ligjit do të përcaktojë shpejtësinë e procesit. Kjo garanton se vendet kandidate nuk do të bëhen anëtare deri sa themelet e demokracisë të jenë të forta në ato shtete”, thuhet në reagim.
Vendet e Ulëta mirëpresin gjithashtu gjuhën e qartë mbi kushtëzimin. “Negociatat mund të ndalen me shumë lehtësi, ose edhe të pezullohen, nëse një shtet nuk tregon arritje. Kjo lidhet ngushtë me qasjen strikte dhe të ndershme të vendit tonë për zgjerimin. Ky është një hap i parë i dobishëm për të përmirësuar procesin dhe për të siguruar që zgjerimi të jetë i mundur vetëm bazuar në përparime të vërteta në terren”.
Ndërkohë që Kancelarja gjermane Angela Merkel tha pak ditë më parë në takimin me Kryeministrin Rama se shpreson që të merret një vendim pozitiv që në mars për nisjen e bisedimeve me Shqipërinë, Vendet e Ulëta shmangin afatet. “Vendet e Ulëta nuk mund të komentojnë mbi hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Për këtë duhen bërë përparime domethënëse në terren, sidomos (për Shqipërinë) në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Komisioni do të raportojë shkurtimisht për këtë dhe Vendet e Ulëta do të presin këtë raport”, thuhet në reagimin zyrtar për A2. (A2 Televizion)