
Ish-ministri Brendshëm Sandër Lleshaj distancohet nga çështja e abuzimit me tenderin e uniformave ne policinë e shtetit duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë ndikim apo rol favorizues.
“Si Ministër i Brendshëm nuk kam pasur as ndonjë shtysë personale dhe mbi të gjitha kurrfarë autoriteti ligjor për të ndërhyrë në asnjë procedure konkrete prokurimi të zhvilluar nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, përfshirë natyrisht edhe atë për uniformat e Policisë së Shtetit. Sistemi i prokurimit ne Shqipëri ka autoritetet e veta të administrimit, të menaxhimit, të kontrollit dhe të ankimimit, ku ministri nuk ka rol.”
Sandër Lleshaj, i cili ka qenë në krye të Ministrisë së Brendshme në kohën kur është zhvilluar tenderi për uniformat e policisë, vlerëson hetimet e nisura nga SPAK dhe kërkon t’u shkohet deri në fund të hetimeve.
‘’Unë personalisht kam kërkuar publikisht nga foltorja e Kuvendit në shtator të vitit të kaluar qe kjo çështje të hetohet. Fakti që kjo gjë po ndodh është për t’u përshëndetur, ndërsa tentativat për të bërë politikë me të janë për t’u refuzuar. ‘’
Tenderi i Ministrisë së Brendshme për uniformat e policisë së shtetit u zhvillua një vit më parë dhe kapi vlerën e rreth 23 milionë eurove. Hetimet disa mujore të SPAK çuan në pranga 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të cilët dyshohet se kanë shkelur barazinë në tendera. (A2 Televizion)