
Rafael Nadal nuk do të marrë pjesë në US Open dhe gjithashtu nuk do të luajë më për këtë vit, duke mbyllur kështu sezonin e tij.
Tenisti spanjoll, i cili kishte hequr dorë edhe nga Wimbledon dhe Olimpiada, e dha lajmin me anë të një videoje të postuar në Instagram.
Nadal dha këto arsye për vendimin e tij: “Fatkeqësisht, duhet t’i jap fund sezonit 2021. Kam një vit që po vuaj më shumë sesa duhet nga këmba dhe duhet të pushoj. Mendoj se kjo është rruga e duhur që të rekuperohem mirë”.
Disa ditë më parë, edhe Roger Federer njoftoi se do të operohej sërish në gju, duke u tërhequr kështu nga US Open dhe turnetë e tjerë gjatë muajve në vazhdim.
“Kam folur shumë me doktorët në lidhje me gjurin. Jam dëmtuar gjatë turneve në fusha bari dhe nuk vazhdoj dot më kështu. Doktorët më thanë që duhet të operohem dhe vendosa që t’i dëgjoj. Do të jem me paterica për disa javë dhe jashtë fushave për disa muaj. Është gjëja e duhur për t’u bërë, pasi dua të vrapoj edhe gjatë viteve në vijim. Gjithashtu, dua t’i jap vetes edhe pak shpresë se do t’i kthehem tenisit në një mënyrë apo një tjetër. Jam realist, e di sa e vështirë është që të bëj një tjetër operacion në moshën që jam unë (40 vjeç), por dua të ndihem mirë fizikisht”, tha Federer në video.
Në këtë mënyrë, Novak Djokovic e ka rrugën e lirë për të fituar US Open, që do të ishte Grand Slam-i numër 21 për të, ndërkohë që Nadal dhe Federer do të mbeteshin me nga 20 tituj secili. (A2 Televizion)