
Heqja e targës së Serbisë dhe vendosja e asaj provizore të Kosovës është një praktikë që kushton 5 euro dhe do të ndiqet për të gjitha automjetet, pasi qeveria e Prishtinës vendosi në zbatim masën e reciprocitetit të plotë me Beogradin.
Por, ky vendim solli pakënaqësi për serbët, kryesisht ata që jetojnë në Kosovë, të cilët organizuan një protestë. Tensionet nuk munguan. Për të zhbllokuar rrugën në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut, forcat speciale të Policisë së Kosovës ndërhynë duke hedhur dhe gaz lotsjellës.
Përballë këtij zemërimi, kryeministri Albin Kurti sqaroi se vendimi nuk është kundër serbëve dhe se nuk ka për qëllim të cenojë lëvizjen e lirë apo të shkaktojë destabilizim: “Tabelat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër. Këto janë tabelat tona që janë të përkohshme për ata që vijnë me tabela të tjera, ndërsa ka 10 vjet që qytetarët tanë paguajnë për këto tabela që janë poshtë. Ne nuk i duam as këto, as këto, mirëpo derisa të këtë nga këto, do të ketë edhe këto”.
Shqiptarët e Kosovës e mbështesin vendimin, ndërsa serbët kërkojnë që Prishtina dhe Beogradi të heqin dorë nga këto marrëzi. Danilo Iliç, shtetas serb, shprehet: “Mendoj se kjo është një marrëzi e radhës mes autoriteteve të Serbisë dhe atyre të Kosovës. Kjo më së shumti prek njerëzit e pafajshëm, kjo nuk prek askënd në qeveri, as në Serbi e as në Kosovë. Kjo prek njerëzit si unë, shoferë kamioni.
Misioni i KFOR-it monitoron nga ajri pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Vlerësimi është që ekziston një situatë e qëndrueshme për sigurinë. Ndërkohë, Kosova kishte paralajmëruar një hap të tillë, në raundin e fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte thënë se marrëveshja e 2016-s për target skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë në mënyrë të njëanshme. (A2 Televizion)