
Vijojnë përplasjet mes kryetares së Forumit të Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi dhe kryetarit të partisë Lulzim Basha, pasi ky i fundit shpalli zgjedhjet në këtë forum.
Sipas Albana Vokshit, Lulzim Basha, përmes personit përgjegjës për Organizimin Dixhital të Partisë, ka marrë kontrollin e faqes zyrtare në Facebook të Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë dhe bëjnë propagandë.
“Kohë më parë i kisha dhënë personit përgjegjës për Organizimin Dixhital të Partisë akses si administrator në faqen zyrtare të Facebook të Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, me qëllim që të postonte direkt veprimtaritë e rëndësishme të PD-së.
Por, disa ditë më parë, faqa e LDGSH u “grabit” duke hequr nga administratore e çdo lloj aksesi gratë, përfshi dhe mua, që administronim faqen. Ky është një veprim i paligjshëm, tinzar prej besëpreri, duke shfrytëzuar mirëmbesimin që ju kishim dhënë për akses në faqen e LDGSH.
Tani që e kanë grabitur atë, postojnë propagandën e Lulzim Bashës. Shtiren si gra, dhe ofrojnë në emër të LDGSH edhe sulmet që lidershipi aktual i bën forumit të gruas dhe gjithë anëtatarëve të partisë.
Ata që kanë ekzekutuar urdhrin e Lulzim Bashës, duhet ta dinin se grabitja e faqes së LDGSH, uzurpimi dhe përdorimi pa leje i logos dhe simboleve të LDGSH përbën vepër penale.
Çdokush e ka të qartë që urdhëruesi është Lulzim Basha, i cili po tenton të grabisë çdo pushtet të partisë, duke e kthyer atë në pronë private. I vetmuar në zyrën e tij, Zotit Basha ju dashka edhe faqja në Facebook e LDG-së për “të komunikuar” me gratë dhe demokratët që nuk mund t’i takojë dot.
I kërkoj z. Basha të urdhërojë urgjentisht rikthimin e aksesit të faqes së LDGSH e të ndalë sulmet në dinjitetin e mijëra grave demokrate dhe ndërhyrjet brutale në veprimtarinë e LDG-së.
LDGSH, si organizatë partnere e PD, distancohet nga propaganda e lidershipit të PD, e do vijojë veprimtarinë e saj në promovimin dhe përhapjen e vlerave themelore të një shoqërie bazuar mbi mbrojtjen e gruas dhe nga dhunimi e degradimi moral, si dhe evidentimin dhe propagandimin e vlerave tradicionale morale të familjes dhe gruas shqiptare”, shkruan Vokshi. (A2 Televizion)