
Fatmir Mediu kërkon nga qeveria shqiptare të adresojë në organizatat ndërkombëtare rolin destabilizues të Beogradit në rajon. Nëpërmjet një rezolute të depozituar në Kuvend, Mediu nënvizon se prapa këtyre tensioneve qëndron Rusia.
Pas tensionimit të situatës në Ballkan, Fatmir Mediu, së bashku me tre deputetë të tjerë propozojnë në Kuvend miratimin e një rezolute kundër ndikimeve destabilizuese në rajon.
“Kuvendi i Shqipërisë, duke ndjekur me vëmendje të veçantë rritjen e tensioneve ndëretnike në rajonin tonë, tensione me rrezikshmëri të lartë për ringjalljen e konflikteve të përgjakshme, të cilat janë në thelb të lidhura me politikën e Serbisë ndaj fqinjëve të vet, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Malin e Zi, vendosi të ngarkojë qeverinë e Republikës së Shqipërisë në këshillim me partnerët tanë strategjikë dhe ta adresojë urgjentisht këtë problematikë në NATO”, deklaroi Mediu.
Ndonëse dalja për mediat ishte për zhvillimet në rajon, aleati historik i PD-së u pyet për zhvillimet në forcën kryesore opozitare: “Aleanca e PD-së me PR është një aleancë e hershme dhe shpresoj që PD-ja të dalë nga kjo krizë. Vlera e PD-së qëndron tek ata që kanë themeluar PD-në dhe padyshim të jetë e hapur për sinergji të re për njerëz të rinj të PD-së”.
Aleatët e Bashës që morën mandatet duke garuar në listën e PD-së, kanë qëndruar të distancuar nga konflikti që ka përfshirë Partinë Demokratike.
(A2 Televizion)