Tensionet në Veri të Mitrovicës, reagon Policia e Kosovës: Ruani qetësinë!

Nga A2 CNN
6 Dhjetor 2022, 20:59 | Kosova

Policia e Kosovës ka reaguar mbrëmjen e sotme në lidhje me incidentet e raportuara në Veri të Mitrovicës, teksa ka apeluar për ruajtjen e qetësisë dhe ka garantuar qytetarët se situata është nën kontroll dhe u ka bërë thirrje të ruajnë qetësinë.

Në një njoftim për mediat të shpërndarë mbrëmjen e sotme, Policia e Kosovës ka bërë gjithashtu thirrje që qytetarët të mos bien pre e dezinformimit dhe deklarimeve tendencioze dhe të pavërteta.

“Policia e Kosovës me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik lidhur me zhvillimet e fundit në komunat e veriut të vendit njofton se publikimet e shkrimeve të cilat i referohen deklarimeve nga përfaqësues të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë janë të pavërteta dhe tendencioze, si dhe sqaron për opinionin publik dhe mediat me sa vijon:

Këto deklarime nga zyra serbe kanë për qëllim dëmtimin dhe krijimin e narrativave përmes të cilave atakohet profesionalizmi, legjitimiteti dhe misioni kushtetues i PK-së për rend dhe ligj në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Grupet kriminale duke kryer veprime të kundërligjshme përmes të cilave cenojnë lirinë dhe sigurinë e qytetarëve tentojnë t’ia atribuojnë këto veprime njësive të rregullta të PK-së të cilat janë duke kryer detyrat e tyre me shumë përgjegjësi.

Njësitë policore të rendit publik kanë asistuar zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të  kryerjes së detyrave dhe kompetencave të  tyre ligjore.

Të gjitha veprimet policore janë kryer në pajtim me ligjin në ofrimin e asistencës së kërkuar ndaj autoriteteve shtetërore të KQZ-së.

Referuar gjendjes në teren ju njoftojmë se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav.

Policia e Kosovës dhe KFOR-i (njësitet kompetente për deminim-EOD) janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, për pastrimin e zonës, përderisa PK-ja është duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e këtyre personave të dyshuar dhe zhvillimin e hetimeve profesionale për sjelljen e kryerësve të këtyre veprave penale para organeve të drejtësisë.

Andaj, sigurojmë të gjithë qytetarët se situata e sigurisë në vend përfshirë edhe komunat në veri të vendit është stabile dhe ftojmë të gjithë qytetarët të jenë të qetë, të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, si dhe mos të bien pre e dezinformimit dhe deklarimeve tendencioze dhe të pavërteta.

Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit.”

Policia e Kosovës

Ndërkohë, në një njoftim të mëparshëm, Policia e Kosovës deklaronte se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë në vend.  

“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore komform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në Veri të Mitrovicës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke u bazuar edhe në bashkëpunimin ndërinstitucional i ka bërë kërkesë Policisë së Kosovës për asistencë rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat në veri të vendit.

Me këtë rast, Policia e Kosovës njofton opinionin publik në lidhje me zhvillimet e sigurisë në veri të vendit se, sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri,  Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të  kryerjes së detyrave dhe kompetencave të  tyre ligjore.

Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.

Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend dhe ndërmerr masa të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës.” (A2 Televizion)

Policia e Kosovës
https://a2news.com/2022/12/06/sirenat-e-alarmit-ne-veri-te-kosoves-kqz-per-a2-cnn-sna-eshte-lejuar-te-bejme-detyren/
https://a2news.com/2022/12/06/tensionet-ne-veri-vucic-reagon-nga-tirana-duhet-te-negociojme-per-paqe-me-shqiptaret/

A2 CNN Livestream

Latest Videos