
Juristi Jordan Daci, përfaqësuesi i shoqatës së bashkive të djathta që ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2019, ishte i ftuar në Absolut 4 ku foli në lidhje me tentativën sipas tij për të marrë kontrollin e kësaj shoqate nga disa kryetarë bashkish të majta me qëllim për të tërhequr padinë.
Daci tregon për një lëvizje nga ana e Këshillit të Ministrave, përmes sekretares, që kërkon informacion në lidhje me shoqatën.
Sipas juristit, kjo kërkesë nuk është e rastësishme por ka si qëllim final tërheqjen e padisë për pavlefshmërinë e zgjedhjeve lokale. Ai tha se kësaj çështje do t’i shkohet deri në fund pasi ka interes të gjerë, madje dhe ndërkombëtar.
“Janë dy shoqata të pushtetit vendor. Njëra drejtohet nga zonja Ademi dhe përfaqëson bashkitë e djathta dhe tjetra me bashkitë e majta. Tradicionalisht kanë qenë të ndara. Pas bërjes së kërkesas nga ana jonë ka pasur një lëvizje nga Këshilli i Ministrave, i cili tentoi për të kërkuar gjoja informacion dhe që kishte të bënte me mundësitë e ndërhyrjes në drejtimin e shoqatës dhe si qëllim final është dhe tërheqja e mundshme e kërkesës që kemi bërë në Kushtetuese. Kryetarët që kërkojnë të marrin pjesë në shoqatë janë pikërisht ata që kundërshtohen nga kjo shoqatë në Kushtetuese.
Ne i konsiderojmë ata të paligjshëm dhe për këtë arsye nuk mund të jenë as anëtarë të shoqatës. Ata janë zgjedhur në mënyrë jokushtetuese dhe për këtë arsye ne i jemi drejtuar gjykatës. Është nevojë kombëtare që kjo çështje të marrë trajtim. Për më tepër ata që përpiqen të bëjnë një gjë të tillë nuk do kenë shanse ta bëjnë një gjë të tillë. Duket shumë qartë dhe nga pala e interesuar që ishte këshilli i ministrave, ku u kërkua të merrej informacion. Është e qartë që ka një tendencë. Gjykata ka të drejtë ta trajtojë një çështje edhe kur kërkuesi tërhiqet”, u shpreh Daci në Absolut 4. (A2 Televizion)