
Edhe pse i ka shpallur publikisht si prioritete absolute, qeveria është kursyer te shpenzimet që duhet të shkonin për të financuar rindërtimin dhe për të marrë masat e duhura për përballimin e pandemisë.
Në një kohë kur Ministria e Financave hesht se sa janë përdorur fondet e veçanta të alokuara për këto zëra, është Fondi Monetar Ndërkombëtar që jep shifrat dhe nxjerr zbuluar mosrealizimin e këtyre shpenzimeve.
Në fillim të pandemisë, buxheti u rishikua për t’i shtuar 2.5 miliardë lekë sektorit të shëndetësisë, para që do të shkonin për blerjen e pajisjeve, ngritjen e kapaciteteve spitalore dhe bonusin e bluzave të bardha. Por, FMN bën të ditur në raportin e fundit për Shqipërinë se deri në fund të shtatorit, vetëm 870 milionë lekë, apo 35% e kësaj shume është përdorur.
Edhe më i fortë është mosrealizimi në programin e rindërtimit, ku nga buxheti i veçantë prej 34 miliardë lekësh, vetëm 2.6 miliardë lekë janë shpenzuar deri më sot. Kjo përbën më pak se 8% të fondit, i cili këtë vit duhet të zbuste krizën ekonomike, përmes qindra miliona eurove që do të hidheshin në ekonomi.
FMN hedh dritë edhe mbi skemën e garancisë sovrane, që kapte vlerën e 26 miliardë lekëve, apo 1.7% të PBB-së. Teksa realizimi edhe këtu çalon, në rreth 50% të shumës maksimale; fondi zbulon se kjo masë nuk është e kontabilizuar në buxhet, që do të thotë se nuk janë para që sot qeveria i ka në gjendje.
Kur për të mbuluar me fonde këto masa qeveria u detyrua të rrisë borxhin nga 67.8% në 81.9% të PBB-së, pyetja që lind është pse nuk u përdorën këto para? (A2 Televizion)