Tërmeti në verilindje të vendit, prefekti i Dibrës: Për çdo ankesë do të bëjmë verifikime në banesa

Nga A2 CNN
16 Janar 2023, 15:56 | Aktualitet
Tërmeti në verilindje të vendit, prefekti i Dibrës: Për

Në qarkun e Dibrës është mbledhur Shtabi i Emergjencave pas tërmetit të së dielës mbrëma. E pranishme në mbledhje është edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Prefekti i qarkut, Nexhbedin Shehu bëri të ditur se si pasojë e lëkundjeve nuk ka pasur dëmtime në shkolla apo në infrastrukturën e rëndësishme.

Ndërsa u theksua se për fat të mirë nuk pati jetë të humbura apo qytetarë të lënduar, Shehu u shpreh se grupet e punës kanë dalë në terren në kohë reale.

“Nuk kemi probleme të shëndetit të banorë. Ka pasur tronditje në momentet e para, por situata të rënduara nuk kemi pasur. Katër shtabe të emergjencave janë mbledhur dhe nga mbledhjet janë ngritur grupe verifikimi në grupet administrative”, tha prefekti i qarkut Dibër ndër të tjera.

Për çdo ankesë që mund të kenë qytetarët u bë e ditur se do të shkojnë ekipe të posaçme nëpër banesa për të bërë verifikime.

Ndërsa, sa i përket disa banesave të dëmtuara, ministrja Balluku theksoi se bëhet fjalë për banesa të disa qytetarëve në nevojë, për të cilët ajo tha se duhet të asistohen me ndihmë sociale.

Qytetarët kanë bërë deri më tani 169 ankesa për dëmtime banesash të cilat pritet të verifikohen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos