
Teksa Turqia dhe Siria nisin të vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga tërmeti shkatërrues me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter, vendet rreth botës janë mobilizuar për të ndihmuar në përpjekjet e kërkim shpëtimit.
Ekipet e para të specialistëve dhe pajisje kanë filluar të mbërrijnë në vend, nga shtete si Italia, SHBA, Izraeli, Franca e Spanja edhe pse dëmet në tre aeroporte të Turqisë po e vështirësojnë misionin.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres bëri thirrje për reagim ndërkombëtar, duke kujtuar se shumë prej familjeve të goditura nga katastrofa në Siri jetonin që më herët në kushte të mjerueshme dhe ishin në nevojë urgjente për ndihmë.
“Është koha për të gjithë ne, të tregojmë solidaritet të njëjtë si ai që unë kam dëshmuar në zonën ku jetojnë miliona refugjatë të cilët u janë larguar një prej konflikteve më të vështira në histori”, tha Guterres.
Bashkimi Europian po dërgon ekipe kërkim-shpëtimi në Turqi, me grupet nga Holanda dhe Rumani që kanë mbërritur tashmë.
Britania e Madhe tha se do të ndihmonte me 76 specialistë, pajisje dhe qen nuhatës ndërsa një skuadër zjarrfikësisht të specializuar nga Republika Çeke do të ndihmojë për kërkimin e njerëzve nën rrënoja.
Asistencë po ofron edhe Gjermania, Franca, Tajvani dhe Kina. Edhe kryeministri grek Kiryakos Mitsotakis, shteti i të cilit ka një konflikt të gjatë me Turqinë, tha se do të verë në dispozicion çdo mjet të mundshëm për të ndihmuar fqinjin. (A2 Televizion)