
Një 48-vjeçar është arrestuar nga Policia pasi qëllonte në ajër me pistoletë sportive me fishekë manovër, duke terrorizuar banorët te Kodra e Priftit në kryeqytet.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë, pas marrjes së njoftimit nga banorët se në Kodrën e Prifitit, kishte të shtëna me armë zjarri, menjëherë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë.
Nga verifikimet dhe bashkëpunimi me qytetarët u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: A. G., 48 vjeç, banues në lagjen “Kodra e Priftit” për veprat penale të “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prishja e qetësisë publike”
Gjatë kontrollit në banesën e 48-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 pistoleta sportive të llojeve dhe markave të ndryshme që përshtaten edhe si armë zjarri si dhe një shot gun me shënjestër optike, pa lejen përkatëse.
Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 6 gëzhoja që ky shtetas kishte qëlluar me fishekë manovër, duke terrorizuar banorët.
Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)