Testi i parë i 2020, Koreja e Veriut lëshon dy raketa balistike

Nga A2 CNN
2 Mars 2020, 21:12 | Bota
Testi i parë i 2020, Koreja e Veriut lëshon dy raketa balistike

Koreja e Veriut rikthen kërcënimin ushtarak. Vendi komunist që udhëhiqet nga diktatori Kim Jong Un lëshoi dy raketa të paidentifikuara, në atë që duket të jetë testi i parë i armëve luftarake për këtë vit.

Njoftimi erdhi nga ushtria e Koresë së Jugut. Shefi i Shtabit të Seulit saktësoi se raketat përfunduan në një hapësirë që njihet si deti i Japonisë dhe besohet të kenë qenë raketa balistike me rreze të shkurtër.

Majin e kaluar, Pheniani zhvilloi lëshimin e parë raketor pas një pezullimi 18 mujor. Shumë të tjerë pasuan gjatë 2019-ës me Korenë e Veriut që shton testimet e armëve gjatë verës. Kina ka reaguar për zhvillimin e fundit dhe kërkon që Shtetet e Bashkuara dhe Koreja komuniste t’i rikthehen dialogut.

“Është një periudhë e rëndësishme për gadishullin Korean. Kina i bën thirrje të gjitha palëve që të vlerësojnë lehtësimin e tensioneve, të përkushtohen në zgjidhjen e problemeve përmes dialogut dhe negociatave dhe të bëjnë përpjekje pozitive për të promovuar çarmatosjen bërthamore të gadishullit dhe të arrihet paqe e qëndrueshme për gadishullin dhe rajonin”, u shpreh Zhao Lijan, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Testimi raketor i fundit vjen disa ditë pasi administrata amerikane dhe ajo e Koresë së Jugut njoftuan shtyrjen e stërvitjes së përbashkët ushtarake të përvitshme për shkak të epidemisë së koronavirusit. Këto stërvitje zemërojnë Veriun, pasi i konsideroi taktika përgatitëse për pushtim.

Në nisje të 2020, Kim Jong Un premtoi rikthimin e testeve raketore. Udhëheqësi i Koresë së Veriut shtoi dozën e kërcënimit duke thënë se bota do të dëshmojë një armë të re strategjike në një të ardhme të afërt.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos