
Zgjodhi Kompleksin Përkujtimor në Reçak për të drejtuar gishtin nga ndërkombëtarët. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk i kurseu kritikat dhe mungesën e homazheve në këto komplekse në Kosovë, i cilësoi amnisti që i jep mundësinë Serbisë për të mohuar krimet e luftës.
“Fakti që as ndërkombëtarët nuk vijnë të bëjnë homazhe e të sjellin një lule të paktën, atëherë kjo lloj amnistie ia jep mundësinë që Serbia t’i mohojë këto masakra. Përderisa nuk ndëshkohen ata I mohojnë”m deklaroi presidenti i Kosovës.
Thaçi i kërkoi Beogradit që të pranojë krimet e kryera në Kosovë, si të vetmin opsion për të ecur përpara.
“E ardhmja nuk ndërtohet duke mohuar krimet edhe madje duke etiketuar dhe fyer të vrarë në Kosovë. E ardhmja ndërtohet duke pranuar fajësinë dhe kërkuar falje lidershipi i Serbisë. Heshtja e ndërkombëtarëve ia ka hapur gojën dhe e ka amnistuar lidershipin aktual të Serbisë që të pretendojë të mohojë këtë krim”, shtoi Thaçi.
Presidenti Thaçi tha se Serbia ka kryer rreth 400 masakra në Kosovë, duke vrarë mijëra shqiptarë e dhunuar mijëra gra. Përplasja në distancë mes Kosovës dhe Serbisë për Masakrën e Reçakut nisi pasi Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi me dy vite burg një ish ministër serb të qeverisë së Ramush Haradinaj, për mohim të kësaj masakre. (A2 Televizion)