
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po merret në pyetje nga Prokuroria Speciale në Hagë, pas aktakuzës së ngritur kundër tij. Në aktakuzën e bërë publike me 24 qershor pretendohet se Thaçi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli e nëntë të dyshuar të tjerë janë përgjegjës për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Përpara se të futej në Dhomat e Specializuara, Thaçi u prit me entuziazëm nga një grup mbështetësish që ishin mbledhur në Hagë. Kreu I shtetit mbajti dhe një prononcim të shkurtër për media, në të cilin tha se ishte krenar për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndjekim fjalën e Thaçit.
“Sot jam këtu për të respektuar atë që kam ëndërruar dhe për të cilën kam luftuar. Një Kosovë e lirë e pavarur, e bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multietnike dhe sundim i ligjit. Jam i gatshëm të përballem me sfidën e re dhe të ngadhënjej për djalin tim, familjen time, njerëzit e mi dhe shtetin tim”, tha ai. “Asnjëri nuk mund të rishkruajë historinë. Ky është çmimi për liri. Besoj në paqe, të vërtetën dhe drejtësinë. Besoj në dialog dhe marrëdhënie të mirë me gjithë fqinjët. Kosova është histori suksesi dhe jam shumë krenar. Destinacioni i Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO dhe miqësi e përhershme me SHBA-në”, ka thënë Thaçi para selisë së Gjykatës Speciale. (A2 Televizion)