Përkeqësimi i pandemisë, Kosova kthen kufizimet. Teste për vendet fqinje

Nga A2 CNN
13 Korrik 2020, 20:50 | Kosova
Përkeqësimi i pandemisë, Kosova kthen kufizimet. Teste për

Kosova kthen disa nga kufizimet pas përkeqësimit të emergjencës shëndetësore të shkaktuar nga pandemia koronavirus. Qeveria aprovoi masat e reja në përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit, pasi situata po shkon drejt daljes jashtë kontrollit.

Në bazë të tyre, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës që dëshirojnë të hyjnë në Kosovë do të duhet të paraqesin në pikat kufitare një rezultat testi që dëshmon se nuk janë prekur nga Covid-19.

Rezultati nuk duhet të jetë më i vjetër se 72 orë nga momenti i paraqitjes pranë autoriteteve të Kosovës. Përjashtim nga ky rregull bëjnë ata qytetarë të këtyre shteteve që do kalojnë vetëm tranzit, me kusht që të largohen brenda 3 orëve nëse fluturojnë në aeroportin “Adem Jashari” dhe brenda 5 orëve nëse udhëtojnë në rrugë tokësore.

Një ndër kufizimet e rikthyera është ai i daljes nga shtëpia. Në 12 qytete, përfshirë Prishtinën, qytetarët nuk do të lejohen të qarkullojnë nga ora 21:00 e darkës deri në 05:00 të mëngjesit.

Mbajtja e maskave në ambiente publike është bërë e detyrueshme. Ndërsa pezullohet veprimtaria e çerdheve, aktivitetet kulturore dhe sportive në ambiente të mbyllura, ceremonitë fetare, puna në tregjet publike të automjeteve dhe kafshëve si dhe ndalohet grumbullimi i më shumë se 5 personave në sheshe dhe parqe.

Autoriteti shëndetësor i Kosovës ka pranuar se po shkon drejt kolapsit sepse po mbaron kapaciteti i shtretërve. Aktualisht, numëron më shumë se 300 pacientë me Covid-19 të shtruar në spitale.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos