
Miliona vaksina kundër koronavirusit mund të humbasin, nëse vendet e pasura dërgojnë përnjëherë sasi të mëdha dozash në vendet e varfra, paralajmëroi Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara, UNICEF.
Sipas tij, furnizimi duhet të jetë i vazhdueshëm gjatë gjithë vitit, sepse vendet e varfra nuk kanë burime për t'i përdorur të gjitha menjëherë. Yjet e muzikës dhe sportit, si Billie Eilish dhe David Beckham, janë duke mbështetur thirrjet e UNICEF-it. Ato kanë nënshkruar një letër për grupin e vendeve më të pasura të botës, G7, duke u kërkuar atyre që të dhurojnë 20% të vaksinave deri në muajin gusht.
Michael Ryan, shef i urgjencave në OBSH, tha se “nivelet e larta të mbulimit me vaksina janë rruga për të dalë nga kjo pandemi”.
“Mbulimi me vaksina, me gjasë, duhet të arrijë 80% të një popullate, për të zvogëluar rrezikun që variantet e reja të koronavirusit “të importohen” dhe të shkaktojnë shpërthime të reja”, deklaroi Mike Ryan, ekspert në OBSH.
Maria Van Kerkhove, epidemiologe në OBSH, tha se varianti Delta, që goditi rëndë Indinë, po përhapet në më shumë se 60 vende dhe është më i transmetueshëm se varianti Alfa, i cili u shfaq për herë të parë në Britani. Udhëheqësit e G7-s pritet të mblidhen më 11 qershor në Britani. Në krye të agjendës së tyre dot të jenë përgjigjja e koordinuar ndaj pandemisë dhe qasja e vendeve më pak të zhvilluara ndaj vaksinave. (A2 Televizion)