
“Që shqiptarët të arrijnë në pikën që presidenti serb të bëjë thirrje për kë duhet të votojnë është skandaloze dhe tregon dëshpërimin e Ramës dhe situatën ku është katandisur interesi ynë kombëtar nga kjo qeveri”. Këtë qëndrim shprehu në studion e “Absolut 4” kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu. Sipas tij është e turpshme dhe poshtëruese për shqiptarët thirrja nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut për të votuar Ramën, kur shqiptarët kanë qenë faktor dominant në Ballkan.
“Është kaq e turpshme për këtë qeveri sa del Zaev e Vuçiç dhe u bëjnë thirrje shqiptarëve; votoni Ramën. T’u bësh thirrje shqiptarëve nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut ky është kulmi i një marrëdhënieje tërësisht poshtëruese për shqiptarët në rajonin e Ballkanit që në fillim të shekullit kanë qenë faktor dominant krah SHBA me luftën e Kosovës dhe pavarësinë e saj dhe marrëveshjen e Ohrit”.
Sipas tij kjo është politikë e koordinuar e Ramës, Vuçiç dhe Zaevit, që mbështeten nga disa rryma ndërkombëtare dhe kanë si filozofi humbjen e traditës dhe identitetit.
“Është politikë e koordinaur e Ramës-Vuçiç mos them dhe Zaevit, e kemi parë me minishengenin që janë disa rryma ndërkombëtare që e suportojnë, që janë për humbjen e traditës dhe identitetit kombëtar. Është një politikë që është bërë në Venezuelë, por më e zbutur sipas filozofisë së Antonio Gramshit ku njerëzit janë njësoj, nuk kanë identitet përveç një globalizmi dhe Rama është pjesë e kësaj marrëdhënieje në rajonin e Ballkanit”. (A2 Televizion)