
Një i ri nga Dibra është gjobitur me 700 mijë lekë pasi ka thyer rregullin e vetëkarantinimit, pasi ishte kthyer së fundmi nga Italia.
Policia ka bërë të ditur se vijojnë kontrollet në banesat e personave të kthyer nga vendet e prekura nga COVID-19.
Sipas policisë, masa është marrë ndaj shtetasin E.S., 29 vjeç, banues në Dibër. Ky shtetas, më datë 03.03.2020 është kthyer nga Italia dhe është njoftuar nga specialisti i Policisë së zonës për vetëkarantinim 14-ditor, për shkak se vinte nga një zonë e prekur nga virusi COVID-19, gjë të cilën nuk e ka respektuar. Gjatë kontrolleve që ka bërë, Policia ka konstatuar se ky shtetas ka frekuentuar ambiente të jashtme në fshatin e tij. Në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 "Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19", policia e ka ndëshkuar këtë shtetas, me masën administrative në vlerën 700.000 lekë. (A2 Televizion)