
Tirana vijon përgatitjet e saj për derbin e kryeqyetit përballë Dinamos, këtë të shtunë.
Bardheblutë gjenden të parët në klasifikim, me një diferencë prej 10 pikësh nga Laçi i vendit të dytë, mirëpo, sipas teknikut Orges Shehi, skuadra akoma nuk flet për trofeun: “Kemi bërë kampionat të mirë, përfshirë dhe kundër Dinamos. Kemi marrë maksimumin. Këtë kërkojmë dhe nesër. Dinamo ka lojtarë cilësorë, por situatat ndryshojnë dhe nga ndeshja në ndeshje nuk i ngjan. Është kundërshtar që kam vlerësim maksimal për cilësinë që ka. Nisur nga kjo, ne kemi vazhdimësinë tonë”.
Nga ana tjetër, Dinamo kërkon të marrë fitoren e parë në derbi, ku në krye të pankinës është vendosur Rodolfo Vanoli. Nëndetësja blu rrezikon akoma zonën e ftohtë dhe për këtë fitorja është një detyrim.
Edhe Partizani nuk ka një ndeshje të lehtë, pasi udhëton në Kamëz, përballë Kastriotit. Të kuqtë shpresojnë akoma tek ëndrra për në Europë, edhe pse dy barazimet e fundit ndaj Egnatias dhe Tiranës ia kanë vështirësuar jo pak punën.
Dueli tjetër i së shtunës është ai mes Vllaznisë dhe Egnatias, në “Loro Boriçi”, ndërsa dy sfidat e fundit janë rezervuar për të dielën, Laçi-Teuta dhe Skënderbeu-Kukësi. (A2 Televizion)