
Tirana dhe Orges Shehi do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe sezonin e ardhshëm.
Pavarësisht se këtë sezon bardheblutë nuk arritën dot të fitonin kampionatin dhe humbën ndaj Egnatias në finalen e Kupës së Shqipërisë, trajneri do të vijojë punën në stolin e skuadrës me të cilën doli kampion sezonin 2021-2022.
“Klubi i Futbollit Tirana njofton arritjen e marrëveshjes me trajnerin Orges Shehi. Pas bisedimeve mes palëve, klubi dhe tekniku vendosën të vazhdojnë bashkëpunimin mes tyre. Presidenca dhe drejtori teknik i skuadrës Tefik Osmani shprehin falenderimet për profesionalizmin dhe punën e madhe që trajneri i dy vjeçarit të fundit ka bërë me ekipin si edhe kënaqësinë të vijojnë të kenë Orges Shehin në krye të pankinës KF Tirana. Të bindur se ky do të jetë hapi i parë i sigurtë drejt projektimit të një skuadre solide dhe kampione. I urojmë suksese trajnerit në vazhdimësinë e punës së tij nën stemën bardheblu”, lexohet në komunikatën e klubit kryeqytetas. (A2 Televizion)