
Tjetërsimi i tokave në bregdetin e jugut të vendit vijon të thellojë skandalin, me arrestimin e zyrtarëve të tjerë lokalë të Qarkut të Vlorës dhe drejtorive vendore në varësi.
Me vendim të Gjykatës së Vlorës, policia ka ekzekutuar vendimin e arrestit në shtëpi për ish-kryetarin e Qarkut të Vlorës, Anesti Dhimojani. Ndërsa ka arrestuar 6 persona të tjerë të dyshuar për tjetërsimin e tokave, falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.
Ndërkohë, 8 persona të tjerë po hetohen nën masat e sigurisë arrest shtëpie dhe po kaq po hetohen në gjendje të lirë.
Këto arrestime erdhën një vit pas arrestimit të ish-kryetarit të Kadastrës së Vlorës, Klodian Troci, të cilit iu gjetën 65 000 euro, si dhe një numër i konsiderueshëm formularësh të marrjes së tokës në pronësi, që dyshoheshin se falsifikoheshin nga Troci dhe bashkëpunëtorët e tij.
Por, cila ishte skema që funksiononte për tjetërsimin e pronave në bregdet? Në regjistra janë gjetur dokumente të falsifikuara sa i përket vërtetimeve të pronësisë. Si pasojë e kësaj skeme, e cila është organziuar nga vetë zyrtarët që kishin për detyrë të zbatonin ligjin, dyshohet se janë tjetërsuar disa dhjetëra hektarë toke në bregdet, ndërsa vlera e këtyre pronave të shitura më pas personave të tretë i tejkalon 5 milionë euro.
Për të fshehur skemën e falsifikimit të dokumentacionit të tokave, një vit më parë u inskenua edhe vjedhja e zyrave të administrimit dhe mbrojtjes së tokës në Këshillin e Qarkut të Vlorës, ku janë grabitur dosjet e tokave për të cilat janë falsifikuar dokumentet e tjetërsimit të pronësisë nga shtet tek individë të caktuar. (A2 Televizion)