
Shqipëria nuk përmbush plotësisht standardet minimale për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore. Ky ishte përfundimi i Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin mbi trafikun e qenieve njerëzore për vitin 2021.
Raporti e vuri theksin te shfrytëzimi i fëmijëve ku sipas tij, trafikantët i detyrojnë fëmijët të lypin ose të kryejnë aktivitete të paligjshme si kultivim dhe trafikim të kanabisit.
Komisionerja për Mbrojtjen e Fëmijëve nga institucioni i Avokatit të Popullit, teksa vlerëson kuadrin ligjor, kërkon më shumë punë në zbatimin e tij për parandalimin e trafikimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve.
Për Taulant Gegollin nga organizata “Të ndryshëm dhe të barabartë”, trafikimi i qenieve njerëzore në vend vijon të mbetet një fenomen, që sipas tij, pandemia e Covid-19 e bëri edhe më prezent.
Nisur nga rastet në rritje, Ministria e Brendshme nisi gjatë muajit të shkuar edhe konsultimet publike për të hartuar planin kombëtar të veprimit në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, me fokus parandalimin e shfrytëzimit të fëmijëve përqëllime ekonomike. (A2 Televizion)