
Shpallet në kërkim një tjetër person, i cili dyshohet se ka strehuar klandestinët sirianë. Kanë qenë vetë dëshmitë e emigrantëve që kanë orientuar hetimet për ngjarjen.
Në bazë të dëshmive të mbledhura, klandestinët kanë folur për një shtëpi dykatëshe në një nga fshatrat e Vlorës, në njësinë administrative Novoselë, ku, sipas tyre, kanë qëndruar për më shumë se 10 ditë në katin e dytë të saj.
Policia e Vlorës bashkë me grupin e ekspertëve kanë verifikuar informacionet, por nuk kanë gjetur në shtëpinë e përmendur personin që mendohet se i ka strehuar klandestinët.
Për shkak të hetimeve, emri i personit dhe vendi i saktë nuk janë bërë të ditura. Por edhe pse shtëpia e kontrolluar përputhej me dëshmitë e klandestinëve, në momentin e kontrollit nuk është gjetur asnjë e dyshimtë.
Më 9 janar, Policia arrestoi edhe pronarin e një hoteli në Tiranë, pasi kishte strehuar për disa kohë klandestinët. Personi i arrestuar quhet Fatos Dusha, ndërkohë që vijon puna dhe për identifikimin e trafikantëve, të cilët arritën të shpëtonin një ditë më parë duke përfituar dhe nga errësira. Mëngjesin e së dielës, Policia njoftoi se 63-vjeçari ka strehuar në hotelin e tij 9 prej emigrantëve që u kapën, ndërsa po iknin me gomone drejt Italisë.
Mbrëmjen e së shtunës së kaluar, rreth 50 klandestinë nga Siria u shpëtuan nga autoritetet shqiptare, pasi qëndruan mbi 3 orë në përballje në det të hapur me motin e keq. Ata tentuan të kalonin ilegalisht kufirin drejt Italisë me gomone, të ndihmuar edhe nga një grup trafikantësh shqiptarë. (A2 Televizion)