Trafiku i klandestinëve, goditen 4 grupe kriminale në 3 vende. 25 fletëarreste në Shqipëri

Nga A2 CNN
19 Janar 2022, 16:12 | Kronikë
Trafiku i klandestinëve, goditen 4 grupe kriminale në 3 vende. 25

Katër grupe kriminale të përfshira në trafikun e klandestinëve nga Lindja e Mesme drejt Italisë së Jugut, e më tej në vende të tjera të BE-së u goditën në të njëjtën kohë në Shqipëri, Itali dhe Greqi.

Operacioni i koduar “Astrolabio”, që çoi në pranga 47 persona në të tria vendet, ishte produkt i hetimit të një skuadre të përbashkët hetimore mes SPAK në Shqipëri, Prokurorisë së Leçes në Itali dhe Prokurorisë së Apelit Athinë, në Greqi.

Nga 25 fletëarreste të lëshuara nga Gjykata e Posaçme, u arrestuan në Tiranë, Vlorë e Durrës, 18 prej tyre, nga të cilët 3 janë të huaj.

Hetimi i 4 grupeve kriminale nisi në mars 2020 pas zbarkimit të dhjetëra klandestinëve në bregun e Salernos në Itali, kur vendi ishte i izoluar nga pandemia Covid-19. Rezultoi se dy prej tyre ishin pozicionuar në jug dhe veri të Italisë, një në Shqipëri dhe një në Greqi.

Nga hetimi i përbashkët i kryer janë dokumentuar 30 episode kontrabandimi të 1120 emigrantëve. Sipas partnerëve italianë, në deklaratën e përbashkët mes tri vendeve, në veriun e Italisë grupi kriminal drejtohej nga dy vëllezër, që i fshiheshin drejtësisë duke përdorur emra të rremë.

Prokurori i SPAK, Vladimir Mara, tha se në hetim u përdorën metoda speciale të vëzhgimit e përgjimit, mes të cilave u dokumentuan 7 prej episodeve të trafikut të paligjshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos