Babai i vajzës 3-vjeçare që ndërroi jetë, këtë të mërkurë, në spitalin e Elbasanit, tha se nuk kishte marrë asnjë informacion mbi shkaqet e vdekjes së vogëlushes.
Agim Islami foli për gazetarët nga ambientet e spitalit, ku këtë mëngjes, 3-vjeçarja humbi jetën, pas ndërlikimeve nga insuficienca kardiake e respiratore, por edhe pneumonia.
“Vazja nuk ishte sëmurë asnjëherë më parë. U sëmur para një jave, e solla për vizitë para 2-3 ditësh, doktori më tha ka virozë dhe më dha një qese me ilaçe”, tregon babai. “Dje u bë keq, iu nxi buza, e dërgova në spital, mori dy shishe me serum dhe vdiq. Më thanë është virozë, kishte gati 8-9 ditë. Nuk e di sesi iku ky fëmijë kështu, nuk na thanë asnjë lloj shkaku”.
Pas ngjarjes së rëndë, mjekja Ermira Karajani, sqaroi për A2 CNN se fëmija është paraqitur në gjendje tepër të rëndë, me insuficencë kardiake dhe respiratore, si edhe pneumoni. Sipas informacioneve nga Elbasani, fëmija ka mbërritur në spital me shenja gripi, temperaturë dhe kollë, dhe ka qenë në gjendje të rënduar. Pas disa orësh aty, fatkeqësisht ka humbur jetën.
Tashmë pritet ekspertiza mjekoligjore për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës, nëse ka qenë gabim mjekësor, apo për shkaqe natyrale. (A2 Televizion)