
Policia shqiptare dhe ajo italiane dolën në një deklaratë të përbashkët për mediat, këtë të mërkurë, në lidhje me operacionin ndërkombëtar kundër trafikimin të klandestinëve, i shtrirë në Itali, Greqi, Shqipëri, e disa shtete të tjera të Europës.
Në sajë të këtij operacioni, u ekzekutuan 47 masa të sigurimit personal të miratuar, lidhur me hetimet e zhvilluara në kuadër të kësaj skuadre.
Në konferencën e përbashkët, autoritetet italiane bënë të ditur se në shtetin fqinj vepronin dy grupe kriminale. Ai në veri të Italisë, drejtohej nga dy vëllezër, të cilët arrinin t’i shmangeshin policisë duke përdorur identitete të rreme.
“Në Itali u zbuluan dy grupe kriminale, një në Bari, ku u kryen 5 arrestime dhe tjetra në veri të Italisë, e cila përbëhej nga dy vëllezër, rezidentë në Veneto. Ata përdornin emra të rremë dhe arrin t’i shpëtonin autoriteteve. Ata ishin në kërkim në disa vende të Europës, mes tyre Austri e Gjermani. Hetimet e zhvilluara me teknika të përparuara na bënë të mundur të identifikonim këto persona.
Një detaj tjetër ka të bëjë me bashkëpunimin e ndërsjellët me forcat e tjera policore dhe EUROPOL-in. Kemi arritur të zbulojmë kanalet financiare të përdorura. Kemi arritur të kuptojmë pagesat që kryheshin nga njerëzit që varionin në funksion të itinerarit që do të shkonin, ato varionin nga 5 mijë në 10 mijë euro”, bënë të ditur autoritetet italiane. (A2 Televizion)