
Liderët nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, kanë shprehur solidaritetin e tyre me Maqedoninë e Veriut, pas aksidentit tragjik në Bullgari. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë që të ndihmojë autoritetet maqedonase.
“Republika e Kosovës bashkëndjen me Maqedoninë e Veriut, popullin e saj dhe të gjithë shqiptarët e tronditur nga ky lajm i kobshëm, dhe shpreh gatishmërinë e plotë për të ofruar ndihmën e saj në çdo kapacitet”, shprehet kryeministri Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i ka dërguar një telegram ngushëllimi homologut të tij maqedonas, Stevo Pendarovski dhe kryeministrit Zoran Zaev.
“Me mosbesim dhe pikëllim, mora lajmin e tmerrshëm për vdekjen tragjike të pasagjerëve të autobusit në Bullgari. Nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen që ndajmë me qytetarët e vendit tuaj. Serbia është me ju, e gatshme për të ofruar të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme, sepse nuk jeni vetëm në këtë tragjedi”, shprehet Vuçiç.
Edhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, përmes një telegrami ngushëllimi drejtuar Pendarovskit ka thënë se shteti i tij ndan “dhimbjen me popullin maqedonas për jetët e humbura tragjikisht, në mesin e tyre edhe fëmijë”.
“Në këto kohë të tmerrshme, Europa shpreh solidaritetin e saj me ju”, shkruan presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen në një mesazh në Twiter. (A2 Televizion)