
Brazili do të presë Ancelotti-n deri më 25 maj, për t’i besuar stolin Kombëtares. Tekniku i mirënjohur italian është alternativa e preferuar nga drejtuesit e federatës, për të marrë drejtimin e stolit të Seleçao-s.
Ai shihet si kandidati ideal për të zëvendësuar të larguarin Tite dhe për të kthyer latinët në majat e futbollit botëror. Konfirmimi erdhi nga Presidenti i Federatës së Futbollit, Ednaldo Rodrigues.
“Përpara se të nisë planin B, synojmë të verifikojmë deri në fund se plani A mund të realizohet”, tha ai. Rodrigues shtoi se brazilianët kanë takim me një klub, për të dëgjuar edhe kërkesat e tyre dhe se shpreson që zyrtarizmi i trajnerit të ri të bëhet deri më 25 maj.
Edhe pse drejtuesi i futbollit në Brazil nuk përmendi emra konkretë, dihet që plani A ka qenë gjithmonë Carlo Ancelotti. Pak javë më parë, trajneri zbuloi ofertën e marrë nga 5 herë kampionët e botës, duke u shprehur tejet i vlerësuar për interesin ndaj tij. Problemi kryesor lidhet me faktin se Ancelotti ka edhe një vit kontratë me Realin e Madridit.
Tekniku synon ta respektojë marrëveshjen deri në fund, megjithatë gjithçka do të varet nga rezultatet. Nëse Los Blancos nuk do të fitojnë trofe deri në fund të sezonit, atëherë klubi madrilen mund të vendosë të prishë kontratën, ose ta mbyllë marrëveshjen me konsensus.
Kandidatë të tjerë për Brazilin janë Fernando Diniz, kampion kombëtar me Fluminense-n dhe dy portugezët Abel Ferreira i Plameiras dhe Jorge Jesus i Fenerbahce. (A2 Televizion)