Tre senatorë amerikanë infektohen me Covid-19

Nga A2 CNN
20 Gusht 2021, 07:40 | Bota
Tre senatorë amerikanë infektohen me Covid-19

Tre senatorë amerikanë kanë rezultuar pozitivë në testet e COVID-19 pavarësisht se ishin të vaksinuar. Bëhet fjalë për senatorin e pavarur Angus King nga shteti i Mejnit, senatori republikan nga Misisipi, Roger Wicker dhe senatori demokrat nga Kolorado, John Hickenlooper.

Ata i bashkohen një numri personalitetesh të larta të infektuar me variantin më ngjitës delta të koronavirusit, që po përhapet me shpejtësi në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Të gjithë anëtarët e Senatit kaluan shumë orë së bashku në dhomën e Kongresit javën e kaluar në një seancë për votimin e buxhetit para se të largoheshin nga Uashingtoni për pushimet e gushtit.

Senatori King tha se filloi të ndiente ethe të mërkurën dhe bëri një test për Covid-19 pas rekomandimit të mjekut të tij. "Ndërsa nuk ndihem mirë, padyshim që jam shumë më mirë sesa po të mos isha i vaksinuar", tha ai.

Zyra e senatorit Wicker tha se ai doli pozitiv për virusin të enjten në mëngjes.

"Senatori Wicker është plotësisht i vaksinuar kundër COVID-19, është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po trajtohet nga mjeku i tij në Tupelo", thuhej në një deklaratë të lëshuar nga shefi i personelit të tij. "Ai është në vetë-izolim, dhe të gjithë ata me të cilët Senatori Wicker ka patur kontakt së fundmi janë njoftuar."

Senatori Hickenlooper e bëri njoftimin për testin pozitiv disa orë më vonë.

"Ndihem mirë, por do të vetë-izolohem me rekomandim të mjekut. Unë jam mirënjohës për vaksinën (dhe shkencëtarët që e kanë zbuluar atë!), e cila i ka kufizuar simptomat e mia”, tha senatori Hickenlooper në një postim në Twitter. "Nëse nuk jeni vaksinuar, bëni vaksinën sot! Merreni edhe dozën përforcuese kur të vijë koha!"

Këto raste të koronavirusit në mesin e të vaksinuarve vijnë një ditë pasi zyrtarët shëndetësorë amerikanë njoftuan planet për të ofruar një dozë përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 për amerikanët. Ata thanë se dozat përforcuese janë të nevojshme për të rritur mbrojtjen e amerikanëve kundër variantit delta mes shenjave të dobësimit të efektivitetit të vaksinave me kalimin e kohës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos