Tregtia e jashtme, eksportet kapërcejnë nivelet para pandemisë

Nga A2 CNN
17 Maj 2021, 20:32 | Ekonomi

Eksportet shqiptare janë rigjallëruar këtë fillim vit, duke tejkaluar madje edhe nivelet e para krizës së Covid-19. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë 4 muajve të parë të vitit, u eksportuan 108.9 miliardë lekë mallra, 35% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë kur tregtia botërore u paralizua dhe 10% më shumë se në vitin 2019.

Rritja më e madhe i takon grupit “Materiale ndërtimi dhe metale”, si dhe “Minierale, lëndë djegëse, energji”, ndjekur nga tekstilet dhe këpucët. Megjithatë, eksportet e veshje-këpucëve, janë ende larg niveleve të 2018 dhe 2019, për shkak të pasigurive ende të larta në ekonomitë partnere.

Njëkohësisht me eksportet, një rritje të ndjeshme kanë pasur edhe importet e mallrave, me një rritje të fortë në grupet “Makineri, pajisjes, pjesë këmbimi” dhe “Materiale ndërtimi, metale”.

Kjo mund të shpjegohet me programin e rindërtimit pas tërmetit të 26 Nëntorit, por edhe me investimet e biznesit në linja të reja prodhimi, për t’u përshtatur me kërkesat e tregut.

Ndër partnerët tregtarë, vihet re një rritje e shkëmbimeve me Kosovën, edhe pse kryesisht drejt eksporteve; një rigjallërim i marrëdhënieve ekonomike me Italinë, si dhe një varësi më e lartë importesh nga Turqia, që është bërë tashmë vendi i dytë më i madh i origjinës prej nga vijnë mallrat që kalojnë doganën. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/05/17/rihapja-e-ekonomise-globale-kthim-gradual-ne-normalitet-per-te-gjithe-sektoret/

A2 CNN Livestream

Latest Videos