Shqiptarët kanë paguar më shumë për të siguruar pronat dhe jetën e tyre përgjatë vitit 2021. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, tregojnë se për periudhën Janar-Nëntor, vlera e paguar për t’u siguruar arriti në 17.3 miliardë lekë, apo mbi 143 milionë euro, teksa mbetet për t’u shtuar edhe muaji Dhjetor.

Rritja më e fortë erdhi nga aktiviteti i jetës me 24%, që ndikohet edhe nga kreditë që marrin individët. Ndërsa tek sigurimet jo-jetë, ku përfshihet siguracioni i makinës, sigurimi nga sëmundjet, apo sigurimi i pronës, rritja ishte sërish e konsiderueshme me gati 17% më shumë se Janar-Nëntori 2020.

Edhe këtu, rritja më e fortë erdhi si pasojë e rinisjes së qarkullimit dhe lëvizjeve me qëllime turistike. Ku si siguracioni i detyrueshëm, ashtu edhe kartoni jeshil apo policat kufitare janë arkëtuar mbi 1.2 miliardë lekë më shumë për kontratat e sigurimit.
Nga ana tjetër, kompanitë e sigurimit kanë shpenzuar më pak për pagesën e dëmeve: 6 miliardë lekë, nga 6.8 një vit më parë. Por kjo ishte diçka e pritshme për shkak të dëmshpërblimeve të tërmetit, që u dhanë në vitin 2020. (A2 Televizion)