Banorët e rrugës “5 Maji” nuk e kanë firmosur marrëveshjen e propozuar nga Bashkia Tiranë, edhe pasi një përfaqësi e tyre u takua me Kryeministrin Edi Rama në Parlament.
Një prej banoreve, pasi doli nga godina e njësisë bashkiake numër 8 në kryeqytet, tha se nuk e kishte firmosur, për shkak se ishte e njëjta marrëveshje.
“Na thanë që Nëna Liza ka kërkuar që në kontratë të jetë firma e kryebashkiakut. Por ajo ishte një nga pikat. Ne kërkuam që në marrëveshje të vendoset gjurma, vendi, ku dhe kur do të ndërtohet. Por për këto na thanë që nuk kishin informacion”, tha një prej banoreve, pasi doli nga godina.
“Kryeministri e ka zakon, i ka thënë Nënë Lizës “je në besën time, po firmose”. Por ishte e njëjta kontratë”, tha një banor tjetër. Jashtë njësisë numër 8, i njëjti zotëri tha se protesta do të vazhdojë. “Tani e treguan fytyrën e vet. A firmoset kjo paçavure? “Fale tokën se të premtoj një të ardhme të afërt që do ta kthejmë”. Tani protesta do të trefishohet, do të habiteni”, tha ai. (A2 Televizion)