
Shifrat e pandemisë në Shqipëri janë rritur ndjeshëm javët e fundit, dhe kjo sipas Tritan Shehut ishte pothuajse e pashmangshme, duke marrë parasysh veprimet e qeverisë.
“Nuk ndodhemi asgjëkundi, kemi shifra shumë më të mëdha seç kishim në mars, pavarësisht se mendoj se virusi ka qenë prezent qysh nga dhjetori. Numri i rasteve të reja është më i lartë se shërimet. Parametrat tona me vendet e tjera janë një katastrofë e vërtet, sepse gjithçka u menaxhua keq, për show dhe për të deformuar rregullat e demokracisë”, thotë Shehu për A2.
Sipas tij, kjo rezulton në faktin që “kemi një dëm ekonomik gjigant që mund të shkojë deri në 20% të GDP, dhe kemi një shtim të infektuarve dhe statistika të frikshme”.
Sipas ish-deputetit të PD-së, “Qeveria me cinizëm dhe papërgjegjshmëri vendosi shembjen e teatrit dhe reagimin masiv të personave”, duke rënduar edhe më shumë situatën epidemiologjike.
Për Shehun testimet në vend janë të pamjaftueshme, edhe pse “nuk mund të bëhen testime vetëm në një laborator”. Ai mendon se Shqipëria nuk ka as një metodikë lineare, ndërkohë që edhe vende shumë të goditura si Italia tashmë kanë një kurbë në zbritje të dukshme, diçka që nuk po ndodh këtu.
Ish-ministri i Shëndetësisë sugjeron që testimi të përfshijë të paktën “100% të stafit shëndetësor, si dhe 100 % të pacientëve të shtruar në spitalet tona”. (A2 Televizion)