Tre persona të vrarë në pak orë, mes të cilëve dy femra. Ky është bilanci i ngjarjeve kriminale të ndodhura në Mirditë dhe në Durrës.
Në orët e vona të mbrëmjes së të martës, 49-vjeçari, Fatmir Kolecaj, ka vrarë me armë zjarri ish-bashkëshorten dhe ish-kunatin e tij.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në oborrin e banesës së viktimave. Policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar, ndërsa ka vënë edhe një shpërblim prej 5 milionë lekësh për atë që jep të dhëna mbi vendndodhjen e autorit.
Ndërkohë, pak orë më vonë, krimi goditi sërish, këtë radhë në qytetin e Durrësit. 63-vjecari Hasan Xhafa vrau me mjete të forta bashkëshorten e tij.
Ngjarja ka ndodhur në dyqanin, pronë e bashkëshortëve në lagjen 12. Burimet policore bëjnë të ditur se çifti i bashkëshortëve, Xhafa, kanë patur prej kohësh mosmarrëveshje, të cilat mesa duket janë bërë shkak edhe i kësaj ngjarje të rëndë.
63-vjeçari është arrestuar në kushtet e flagrancës nga policia e Durrësit në derën e dyqanit ku kreu krimin. (A2 Televizion)