
Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur në zyrën e prokurorit të distriktit të Manhatanit, ku po qëndron në arrest përpara nisjes së seancës gjyqësore.
Trump-it pritet që t’i merren shenjat e gishtërinjve, në kudër të procedurës që ndiqet në raste të tilla edhe pse nuk dihet ende nëse do të fotografohet apo jo, raporton CNN.
Ish-presidenti do të dërgohet më pas ne seancën e gjyqit ku do të njihet me akuzën, një dalje kjo që pritet të jetë e shkurtër por që përfaqëson një moment të paprecedent në historinë e SHBA-së.
Edhe pse konsiderohet nën arrest, Trump-it nuk pritet që t’i vendosen prangat teksa do të qëndrojë nën mbrojtjen konstante të forcave policore.
Trump është i pari ish-president amerikan që përballet me akuza penale. Ai u padit nga një juri e Manhatanit javën e shkuar për një çështje nga viti 2016 për pagesat që i janë bërë “pornostares” Stormy Daniels për të mbajtur të fshehtë një raport intim mes tyre, edhe pse akuzat pritet që të specifikohen në vijim. (A2 Televizion)