
Nuk do të presë dhe të përmbushë dëshirën e fundit të gjykatëses- ikonë Ruth Bader Ginsburg.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur të zëvendësojë vendin e gjykatëses së Gjykatës së Lartë të Drejtësisë (Supreme Court), e përafërt me Gjykatën tonë Kushtetuese, e cila ndërroi jetë pak ditë më parë pas një sëmundje të gjatë.
Vullnetin e tij, Trump, e zyrtarizoi në Karolinën e Veriut, gjatë një mitingu, ku deklaroi se do të prezantojë, javën që vjen, kandidatin e tij. “Do të jetë një grua me talent dhe brilante. Më pëlqejnë më shumë gratë sesa meshkujt”, deklaroi presidenti.
Sipas analistëve, kandidatja favorite është konservatorja Amy Coney Barret, por shpresa edhe për arsyeje zgjedhore mund të ketë Barbara Lagoa nga Florida, që mund të tërheqë elektoratin kuban dhe latinoamerikan, dhe Allison Rushing.
Demokratët premtojnë luftë, duke deklaruar se emërimin duhet ta kryejë presidenti që do të dalë nga zgjedhjet e 3 nëntorit. Një emërim i një konservatori do të zhbalanconte ekuilibrin delikat të Gjykatës së Lartë për të paktën një dekadë, me efekte të drejtpërdrejta në disa nga betejat sociale më sensitive, duke filluar nga aborti, armët dhe diskriminimi. (A2 Televizion)