
Megjithëse të 50 shtetet kanë vërtetuar rezultatet e tyre të zgjedhjeve dhe Gjykata e Lartë refuzoi një kërkesë emergjente nga republikanët e Pensilvanisë për të bllokuar rezultatet e zgjedhjeve në këtë shtet, gjykatësit tani po merren me një ofertë të re të diskutueshme nga Texas, mbështetur nga Presidenti Donald Trump dhe 17 shtete të drejtuara nga republikanët.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump vazhdoi të enjten me përpjekjen e tij për të përmbysur humbjen e tij ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden, duke u takuar në Shtëpinë e Bardhë me prokurorët e përgjithshëm të shteteve republikane të cilët po mbështesin një padi të ngritur nga shteti i Teksasit në Gjykatën e Lartë, që po përpiqet të bëjë të pavlefshme miliona vota në shtetet ku ka fituar zoti Biden.
Ata po kërkojnë nga Gjykata e Lartë një urdhër emergjence për të bërë të pavlefshme votat e miliona votuesve në katër shtete, Georgia, Wisconsin, Michigan dhe Pennsylvania, edhe pse nuk ka prova të mashtrimit.
Disa ekspertë ligjorë thanë se padia nuk kishte shanse për sukses, por zoti Trump tha në Twitter, se "Gjykata e Lartë ka një shans për të shpëtuar vendin tonë nga abuzimi më i madh i zgjedhjeve në historinë e Shteteve të Bashkuara".
Presidenti Trump, pasi humbi dhjetëra sfida gjyqësore ndaj fitores së Biden në disa shtete që përcaktuan rezultatin e zgjedhjeve, e ka përqendruar përpjekjen e tij për të ruajtur pushtetin në padinë e Teksasit, e cila u soll në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara nga një prej mbështetësve të tij, Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton.
Kolegji Zgjedhor dhe jo vota popullore, përcakton fituesin në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, me 270 vota elektorale të nevojshme për të siguruar shumicën. Nëse rezultatet aktuale qëndrojnë, zoti Biden do të zgjidhet me 306 vota elektorale përballë 232 votash të presidentit Trump.
Të hënën, anëtarë e kolegjit zgjedhor të 50 shteteve votojnë në kryeqytetet përkatëse për presidentin e ri. Kongresi duhet të rishikojë dhe certifikojë rezultatin e Kolegjit Zgjedhor më 6 janar, në një veprim që normalisht është rutinë. (A2 Televizion)