
KFOR refuzoi kërkesën e Beogradit për kthimin e rreth një mijë trupave serbe të sigurisë në Kosovë. Këtë e tha presidenti Aleksandër Vuçiç, dy ditë pasi misioni paqeruajtës i NATO-s i dorëzoi autoriteteve serbe përgjigjen, lidhur me kërkesën e bërë në mesin e dhjetorit.
“KFOR-i na u përgjigj se nuk ka nevojë që forcat tona të kthehen në veri të Kosovës edhe pse sipas Rezolutës 12-44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk kanë të drejtë të refuzojnë kërkesën tonë sepse ata nuk pyeten për këtë”, deklaroi Vuçiç.
Në një reagim për Zërin e Amerikës, KFOR konfirmoi se përgjigjja është dorëzuar, por se nuk do të hynte në hollësitë e korrespondencës.
Presidenti serb tha se në Beograd po diskutohet nëse duhet që për këtë çështje të kërkohet debat në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku siç u shpreh do të kishin mbështetjen e Rusisë.
Megjithatë, rezultati sipas tij, do të ishte konfirmim i vendimit të KFOR-it.
Sakaq, mijëra serbë të Kosovës protestuan në Shtërpcë për të denoncuar plagosjen e dy pjesëtarëve të këtij komuniteti, nga një polic jashtë detyre i Kosovës.
Protesta u zhvilluan edhe në Mitrovicën e Veriut, siç u tha nga organizatorët, kundër tradhtisë së presidentit Vuçiç dhe shtypjes së serbëve nga kryeministri Kurti. (A2 Televizion)