
Kreu i socialistëve, Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj kanë mbajtur në kryeqytet pasditen e së premtes takimin falënderues të nisur pas zgjedhjeve të 14 majit.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, kryesocialisti Rama theksoi se “në buqetën e Tiranës, trëndafili më i bukur ishte Kamza.
Sipas kryeministrit, Kamza u fitua për herë të parë nga socialistët falë punës së bërë nga kryetari Rakip Suli. Rama shtoi se votuesit e Kamzës, një pjesë e mirë të cilëve sipas kreut të qeverisë ishin demokratë, e votuan Sulin me mendje dhe jo me zemër.
“Ishte beteja më e pamundur teorikisht. Në Tiranë e kemi traditë fitoren. Në Vorë, kemi humbur e fituar....Në Kamëz nuk kishin fituar asnjëherë. Shembull i jashtëzakonshëm, i një harmonizimi i dëshirës së madhe për të fituar, me punën e madhe për të fituar, por edhe me kandidatin e madh për të fituar,” deklaroi Rama.
Po ashtu, sipas kryesocialistit, e majta e fitoi Kamzën këto zgjedhje lokale falë edhe punës që është bërë për fëmijët e kësaj bashkie apo edhe prej procesit të Rindërtimit.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 14 majit, kandidati i Partisë Socialiste Rakip Suli siguroi 60.53% të votave (27527) përballë kandidatit të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Arjan Hoxha (35.13%- 15977) dhe kandidatit të PD-së zyrtare, Bilbil Bajraktari (4.34%- 1973). (A2 Televizion)