U ble nga Espanyol, por Keidi Bare ende nuk mund të luajë

Nga A2 CNN
22 Shtator 2020, 12:16 | Futboll
U ble nga Espanyol, por Keidi Bare ende nuk mund të luajë

Keidi Bare është lojtari më i ri i Espanyol në ligën e dytë të futbollit spanjoll, megjithatë, mesfushori shqiptar përballet me një situatë të pazakontë në aventurën e re.

Për momentin, 23-vjeçari do ta ketë të pamundur që të luajë me skuadrën nga Barcelona, për shkak të rregullave financiare të përcaktuara nga Liga.

Me afrimin e Bares, Espanyol tejkaloi tavanin e pagave të futbollistëve. Përpara se kuqeziu të jetë në dispozicion të trajnerit Vicente Moreno, klubi duhet të shesë një futbollist nga kontingjenti aktual. Për këtë arsye, debutimi i mesfushorit, në sfidën e së hënës kundër Real Oviedo-s është seriozisht në dyshim.

Espanyol investoi 2,5 milionë euro për ta blerë Keidi Baren nga Malaga, të cilave do t’u shtohen edhe 1 milion euro në bazë të ndeshjeve të luajtura nëse ekipi do të ngjitet në elitën e futbollit spanjoll.

Sipas marrëveshjes, titullari i Kombëtares do të përfitojë mbi 500 mijë euro në sezon, nga kontrata 4-vjeçare me klubin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos