
Ish-efektivi i “Shqiponjave” Nevaldo Hajdaraj, i dënuar për vrasje me dashje të 25-vjeçarit Klodian Rasha, në 8 dhjetor të 2020-ës ka ankimuar vendimin në Gjykatën e Apelit. Hajdaraj kërkon ndryshimin e vendimit dhe dënimin për vrasje në tejkalim të nevojës për t’u mbrojtur, duke argumentuar se nuk ishte vrasje me dashje.
Ankimi është dorëzuar në fund të korrikut dhe pritet që Apeli të hedh shortin për dosjen. Ndërkohë, Ankim për vendimin është ushtruar edhe nga Prokuroria e cila kishte kërkuar dënimin me 20 vite burg të Hajdarajt.
Gjykata e Tiranës dënoi më 14 korrik Hajdarajn, me 15 vite burg dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkoi në 10 vite. Babai i Rashës, Qazim Rasha, doli i zhgënjyer nga seanca e fundit, duke mos e konsideruar drejtësi vendimin e Shkallës së Parë.
Qazim Rasha u shpreh se 25-vjeçari ishte vrarë nga një sekt i dhunshëm, duke iu referuar Policisë së Shtetit, ndërsa kujtojmë se pas vrasjes vendi u përfshi në një protestë 6-ditore, që çoi në shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Rasha u vra në hyrje të rrugicës që të çon drejt banesës së tij, i paarmatosur duke i vrapuar policisë për shkak të frikës. Nga pamjet filmike, rezultoi se Nevaldo Hajdaraj kishte qëlluar me dy plumba në distancë të riun, duke e lënë të vdekur në vend. (A2 Televizion)