
Policia e Shtetit njoftoi se është ekstraduar nga Greqia Bashkim Buzani, i cili rezulton i dënuar në vendin tonë si pjesëtar i një organizate kriminale që në vitin 1997 kryente vepra të ndryshme penale, si grabitje me armë.
Sipas Policisë, 50-vjeçari është dënuar në vitin 2005 nga Gjykata e Elbasanit me 20 vjet burg, për veprat penale “Organizatë kriminale” në formën e pjesëmarrjes në organizatë kriminale, “Vjedhja me armë” dhe “Vjedhja” kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, në prill të vitit 2005 Buzani është arrestuar në Greqi, për llogari të autoriteteve greke, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe Gjykatë a Apelit Selanik, me vendimin e datës 12.10.2005, e ka dënuar me 16 vjet burg. Pas kryerje së dënimit për llogari të autoriteteve të drejtësisë greke u bë ekstradimi i tij drejt vendit tonë.
Në trazirat e marsit të vitit 1997, Bashkim Buzani ka qenë anëtar i një bande të armatosur. Fillimisht ky grup u krijua nga një grup i armatosur personash në lagjen nr.3 në Cërrik, me qëllim mbrojtjen e tyre nga një bandë tjetër. Më pas, me kalimin e kohës, duke marrë tiparet e një grupi të armatosur me një formë bashkëpunimi të veçantë prej shumë vitesh, anëtarët e grupit kryenin vepra të ndryshme si vrasje dhe grabitje me armë.
Ky grup grabiste dhunshëm furgonat me refugjatë që vinin nga Kapshtica, duke zbritur në tokë refugjatët, të cilët i rrihnin dhe i poshtëronin. Gjithashtu, Buzani, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit, ka grabitur disa banesa dhe lokale të ndryshme. (A2 Televizion)