Mediat rumune kanë pulbikuar një lajm të hidhur, që ka tronditur jo pak botën e sportit në vend, teksa njoftohet se ka ndërruar jetë në moshën 30-vjeçare, ish-kampioni i Ballkanit në Bodybuilding, Katalin Stefanescu.
Stefanescu u gjet i pajetë në një liqen pranë Lazurit në Rumani dhe siç raporton rumunia gsp.ro, policia po heton rastin. Miku i sportistit është larguar për pak kohë nga vendi ku po peshkonin dhe kur është kthyer është ballafaquar me skenën e rëndë.
Hetimi do t’i japë përgjigje pyetjes se çfarë ka ndodhur dhe në veçanti do të hetohet mundësia që Stefanescu të jetë plagosur para se të mbytej, sepse thellësia e ujit në vendin ku është gjetur nuk kalon një metër.
Stefanescu ishte pjesë e ekipit kombëtar në kampionatin ballkanik të bodybuilding në vitin 2020, kur u bë kampion i Ballkanit dhe Rumanisë. Ai punonte si trajner fitnesi, ishte i martuar dhe kishte një vajzë të vogël, transmeton portali i pavarur. (A2 Televizion)


