U grabit një ditë pas lindjes, gjendet 53 vite pasi prindërve u kishin kthyer beben e gabuar

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2019, 16:57 | Bota

55 vite pasi një bebe i porsalindur u grabit nga një spital në Çikago, një televizion lokal i qytetit arriti ta gjente, duke mësuar se jetonte në fshatrat e Miçiganit. Për ta bërë edhe më dramatike historinë, dy vite pas grabitjes, prindërve të tij iu ishte dorëzuar një bebe tjetër nga FBI, të cilin ata e kishin rritur si të tyrin.

Grabitja e foshnjës së quajtur Paul Fronczak në 26 prill 1964 u bë lajm kombëtar asokohe në SHBA. Një ditë pasi Chester dhe Dora Fronczak u bënë prindër, një grua e veshur me të bardha, e maskuar si infermiere, hyri në dhomën e saj dhe i mori beben duke i thënë se duhet ta çonte te mjeku. Por nuk u bë më e gjallë.

Pas hetimeve të shumta, FBI u duk se do të mbyllte çështjen pa e zbardhur, kur dy vite më vonë mori një informacion për një fëmijë të braktisur në Nju Xhersi. Ngjarja ndodhi dekada para se të ishin futur në përdorim testet e ADN-së, por hetuesit dalluan se veshët e vogëlushit ngjanin me ato të foshnjës së familjes Fronczak. Gazetat e kohës shkruanin se me të parë djalin e vogël, Dora thërriti “është djali im”.

Familja u plotësua sërish dhe çifti e rriti djalin si të tyrin. Por në vitin 2014, një tjetër televizion lokal amerikan raportoi se djali i menduar se ishte Paul Fronczak, në fakt nuk ishte ai, pasi kishte kryer testin e ADN-së. “Do të doja të dija kush jam, kur e kam ditëlindjen dhe sa vjeç jam”, tha ai atëherë.

Pesë vite më vonë, historia mori një rrjedhë tjetër. Pas hetimeve të kanalit lokal të Çikagos, WGN9, u zbulua se fëmija i vërtetë i çiftit Fronczak jetonte në një fshat të vogël në Miçigan, kuptohet me emër tjetër. Identiteti dhe fytyra e tij nuk janë bërë publik, me kërkesën e atij vetë, pasi ishte viktimë e një krimi. Ai nuk tha nëse do të takohej ndonjëherë me mamanë e tij biologjike, Dora Fronczak, pasi babai Chester, ka ndërruar jetë vite më parë. Vetë Dora, e cila jeton në periferitë e Çikagos, nuk pranoi të komentonte. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos