
Gjykata e Tiranës la në burg 2 nga 3 personat e arrestuar të premten pas një operacioni antidrogë, të kapur me 1 kg e 88 gramë kokainë.
Dedë Nimani dhe Xhulio Lici, efektiv policie, u lanë në arrest me burg, ndërsa Luan Gaci u la në arrest shtëpi. Ata u arrestuan të premten pas një operacioni të policisë.
Vendimet janë marrë edhe pse në sallën e gjyqit, Nimani ka përjashtuar nga përgjegjësia penale dy personat e tjerë, përfshi punonjësin e policisë, duke pretenduar se droga ishte e tij dhe se nuk njihej me ta.
Në deklarimin e tij, Nimani ka pranuar se është ai i vetmi person i arrestuar në këtë operacion që është marrë me trafik të lëndëve narkotike.
“Për arsye ekonomike dhe situatës shëndetësore timen dhe të familjes sime, në pamundësi të çdolloj mënyre tjetër të jetesës, kam qenë i interesuar të shes drogë për të jetuar”, tha Nimani në gjykatë.
Ai shkarkon nga çdo përgjegjësi efektin e policisë, Lici, dhe Luan Gacin. “Pasi jam interesuar kam mësuar se në zonën e Plepave në Durrës është një person që shet drogë. Kam marrë si taksi një të njohurin tim, që quhet Luan, të cilit nuk i kam treguar arsyen e vërtetë dhe së bashku kemi shkuar deri në Plepa. Nuk desha që ai të dinte se ku e marr drogën dhe as kë takoj, për këtë arsye i kam thënë Luanit "nisu dhe më prit rrugës së Ndroqit". Pasi e kam blerë drogën, kam dalë në rrugë dhe që të mos bie në sy, kam ecur në këmbë për një farë kohe, derisa ka ardhur një makinë të cilës i kam bërë shenjë dhe ka ndaluar”.
Nimani pretendon se nuk e njeh fare efektivin e policisë Xhulio Lici. “Kam hipur në këtë makinë, pakon e drogës e vura në bagazh, sepse kisha frikë se bie erë dhe nuk desha që shoferi të kishte dyshime. Në rrugë, kur kam parë makinën e Luanit të ndaluar, i kam thënë këtij shoferit të rastit të ndalonte pasi nga aty deri në Tiranë do të vija me Luanin. Në momentin që kam ndaluar, shoferi ka hapur bagazhin të më jepte pakon time pa e ditur se çfarë ka në të, ndërkohë ka ndërhyrë policia dhe na ka arrestuar të gjithëve”.
“Dua të deklaroj me përgjegjësi se, as Luani dhe as shoferi, të cilit nuk ia mësova dot emrin, nuk kanë pasur dijeni për lëndën narkotike. Gjithë përgjegjësia është e imja dhe ju kërkoj ndjesë, Luanit dhe këtij shoferit që ndaloi të më bënte nder, për situatën e krijuar! Kërkoj mëshirën edhe të organit procedues, por e kam bërë sa më sipër nisur nga vështirësitë ekonomike dhe shëndetësore të familjes time”. (A2 Televizion)