U kthye të pleqëronte në fshat pas 20 vitesh në SHBA, vritet për një rrip toke

Nga A2 CNN
8 Shtator 2022, 11:21 | Kronikë
U kthye të pleqëronte në fshat pas 20 vitesh në SHBA, vritet

Ishte kthyer pas emigrimit 20-vjeçar në Shtetet e Bashkuara për të pleqëruar në fshatin e tij, por një grindje me komshiun i ka marrë jetën 65-vjeçarit Safet Hyskollari. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Gështenjas të Pogradecit, ndërsa autori është identifikuar si Fatmir Manellari, 63 vjeç, i cili pas krimit është larguar dhe shpallur në kërkim.

Sipas dëshmitarëve okularë, viktima Safet Hyskollari, po bënte rehabilitimin e rrugës nëpërmjet së cilës futej në banesë dhe kishte vendosur disa tubo shkarkimi për të cilat autori Fatmir Manellari ka pretenduar se ishin futur në tokën e tij. Kaq ka mjaftuar që të niste një konflikt verbal mes tyre, ku në nxehje e sipër autori 63-vjeçar e ka qëlluar katër herë me thikë komshiun e tij, duke i shkaktuar vdekjen.

Banorë të zonës shprehen se nuk kishin dëgjuar asnjëherë konflikt të mëparshëm mes viktimës dhe autorit. Ngjarja ka qenë shumë e papritur edhe për familjen e autorit, të cilët e kanë marrë vesh lajmin nga gazetarët që kishin shkuar në vendngjarje. Ndërkohë, policia ka nisur hetimin për 63-vjeçarin Fatmir Manellari, i cili dyshohet se është larguar në drejtim të pyllit me Gështenja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos