Vrasje me thikë në Pogradec për kufirin ndarës të pronës

Nga A2 CNN
7 Shtator 2022, 18:33 | Kronikë

Pas 20 vitesh punë në ShBA, Safet Hyskollari nga fshati Gështenjas i Pogradecit, prej 1 viti ishte kthyer në fshat për të kaluar vitet e pensionit, pa e ditur që konflikti me bashkëfshatarin e tij do t’i merrte jetën.

Ngjarja e rëndë u shënua mbrëmjen e së mërkurës, kur autori dhe viktima u konfliktuan për kufirin ndarës të pronës. Sipas të dhënave, viktima Safet Hyskollari po bënte rehabilitimin e rrugës nëpërmjet të cilës futej në banesë dhe kishte vendosur disa tubo shkarkimi për të cilat autori Fatmir Manellari ka pretenduar se ishin futur në tokën e tij.

Kaq ka mjaftuar që të niste një konflikt verbal mes tyre, ku në nxehje e sipër autori 63-vjeçar nxjerr thikën dhe godet mbi 4 herë 65-vjeçarin, në pragun e shtëpisë së tij.

Ka qenë një fqinj i cili ka bërë transportimin në spital të viktimës me shenja jete, por që ndërroi jetë pak minuta më vonë, ndërkohë që autori ishte larguar në drejtim të paditur, duke u fshehur.

Sipas të dhënave nga policia, por edhe banorë të zonës, ata nuk ishin konfliktuar asnjëherë më parë. I gjithë konflikti kishte nisur të mërkurën e 9 Shtatorit. Viktima Safet Hyskollari njihej si njeri i qetë dhe pozitiv, nuk shkaktonte konflikte me askënd, por nuk thuhet e njëjta gjë për autorin, i cili, sipas një banori, “nuk ishte mirë nga trutë dhe gjaknxehtë”.

“Të dy palët i njoh, autori ishte njeri negativ, ishte pa shkollë, i paditur, për të zënë nuk zihej, por nuk ishte në rregull nga trutë. Viktima ishte njeri i shkëlqyer. Autori nuk ishte njeri që konfliktohej, alkool nuk pinte, por nuk ishte mirë nga trutë. Janë zënë për kufirin ndarës. Viktima e bleu tokën, jetonte vetëm me gruan, fëmijë nuk kishte”, thotë një banor.

I rëndë ka qenë lajmi edhe për familjarët e autorit të ngjarjes, të cilët vdekjen e bashkëfshatarit të tyre e morën vesh nga gazetarët.

https://a2news.com/2022/09/07/vrasja-ne-pogradec-momenti-kur-bashkeshortja-e-autorit-merr-lajmin-nga-gazetaret/

Efektivë të shumtë të komisariatit të Pogradecit dhe ndërhyrja e shpejtë po zhvillojnë kërkime intensive në fshat dhe në pyllin e gështenjave, por ende nuk kanë rënë në gjurmët e autorit. Mësohet se autori punonte si marangoz së fundmi, ndërsa vendi ku ndodhi konflikti e pretendonte si pronë të tijën, por pa asnjë dokumentacion. Ai vite më parë kishte punuar në një godinë aty si kovaç dhe prej atëherë thoshte që ishte toka e tij. Ndërkohë, mësohet se nuk ka pasur denoncime në polici më herët për konflikte, pasi nuk kishte pasur asnjë incident të mëparshëm mes autorit dhe viktimës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos