Agron Tufa ka apeluar vendimin e 13 dhjetorit të Gjykatës së Tiranës, që pushonte çështjen e tij ndaj deputetit Spartak Braho, i akuzuar për shpifje dhe fyerje.
Në apelimin e çështjes Tufa deklaron se nga viti 2010 ku ka marrë vendin e drejtorit ekzekutiv të Institutit për Krimet e Komunizmit, “kanë filluar sulmet nga persona me dhe pa pushtet”, të intensifikuara kur filloi të bëj publike “fakte dhe prova mbi histori dhe luftëra imagjinare, si dhe heronj të rremë, komunistë, që në fakt i ishin servirur popullit për 50 vjet në formën e propagandës”.
Ka mjaftuar kjo, sipas tij, që të fillonin “shpifje dhe fyerje nga më të ulëtat, si dhe kërcënime nga persona anonimë, ku me anë të mesazheve janë kërcënuar ai dhe familja e tij për jetën”.
Pas kërcënimeve, Tufa thekson se është detyruar të lejë vendin dhe të kërkojë azil politik ”në një vend të Bashkimit Europian”, të paspecifikuar, dhe të japë dorëheqjen nga Instituti.
Poeti dhe studiuesi ka apeluar vendimin, e Gjykatës, që sipas tij ka interpretuar në mënyrë të gabuar ligjin 333 të Kodit Penal. (A2 Televizion)