U paraqit nga ekipi menaxhues, ja çfarë përmban draft-statuti për asociacionin

Nga A2 CNN
9 Maj 2023, 11:16 | Kosova
U paraqit nga ekipi menaxhues, ja çfarë përmban draft-statuti

Publikohet përmbajtja e draft-statutit për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Media Telegrafi, që ka siguruar një version në gjuhën angleze, raporton se dokumenti i prezantuar në takimin e 2 majit në Bruksel nga Ekipi Menaxhues, ka 67 nene dhe është i ndarë në 9 kapituj. Në të detajohen dispozitat e përgjithshme, çështjet e komunitetit, struktura organizative, anëtarësimi në Asociacion dhe marrëdhëniet ndërmjet komunave anëtare, asetet dhe të ardhurat, format e vendimmarrjes së drejtpërdrejtë, ndryshimet në statutin e Asociacionit, shpërbërja e Asociacionit dhe dispozitat tranzicionale dhe përfundimtare. Mitrovica e Veriut do të ketë rolin e një kryeqyteti brenda asociacionit.

“Neni 8: Komuniteti do të vendosë simbolet e tij së bashku me mënyrën e përdorimit të tyre. Simbolet e Komunitetit do të jenë himni, flamuri dhe stema. Vendimi i Kuvendit për simbolet e Komunitetit do të miratohet me shumicën e votave të të gjithë Këshilltarëve.”

DRAFT-STATUTI PËR ASOCIACIONIN E EKIPIT MENAXHUES

Kompetencat që i ngjasojnë një shteti janë të përshkruara në disa nene që përcaktojnë se kuvendi i asociacionit do të jetë në gjendje të mbikëqyrë zbatimin e ligjeve, të rregullojë zgjedhjet, të bëjë riorganizimin dhe funksionimin e organeve, agjencive, ndërmarrjeve publike, do të bëjë mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave statistikore, do të propozojë referendume, do të vendosë për huamarrjen financiare, do të miratojë buxhetin dhe bilancin vjetor, do të themelojë organizata, agjenci, ndërmarrje dhe institucione publike, fonde, institucione financiare dhe do ta mbikëqyrë punën e tyre.

“Neni 31: Emërimi i Komandantit të Policisë së Qarkut. Komuniteti, do të emërojë komandantin e policisë rajonale për komunat: Mitrovica Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.”

DRAFT-STATUTI PËR ASOCIACIONIN E EKIPIT MENAXHUES

Gjithashtu, në draft-statut përcaktohet se kuvendi i asociacionit do të menaxhojë të gjitha pasuritë nëntokësore dhe burimet hidrike.

Neni 54: Burimet natyrore (depozitat e qymyrit, xeheve të metaleve dhe jometaleve, uji, burimet ujore, burimet nëntokësore dhe gjeotermale, etj.) të vendosura në territorin e Komunitetit menaxhohen nga Komuniteti, Statuti dhe Kuvendi.”

DRAFT-STATUTI PËR ASOCIACIONIN E EKIPIT MENAXHUES

Në asnjërin prej neneve nuk përmendet ndonjë varësi nga qeveria e Kosovës, por vetëm nga ajo e Serbisë. Ky draft-statut është refuzuar menjëherë nga kryeministri Albin Kurti në takimin e 2 majit në Bruksel, ndërsa BE-ja e konsideron si hapin e parë drejt formimit të Asociacionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos